Nafta i rikthehet humbjeve – Rritja e rezervave në SHBA ushtron presion mbi çmimet
Rritja e rezervave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rrëzuar çmimet e naftës në sesionin e sotëm. Por megjithatë, humbjet po kufizohen nga marrëveshja e OPEC për të ulur prodhimin dhe nga rënia e eksporteve të Venezuelës. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 71.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 64 dollarë për fuçi. Rezervat e naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rritën me 7 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, në totalin e 456.6 milionë fuçive.
Ky është niveli më i lartë në 17 muajt e fundit, sipas të dhënave të Administratës për Informimin mbi Energjinë. Gjithashtu, prodhimi në SHBA qendroi në nivelin rekord prej 12.2 milionë fuçi, duke e bërë Amerikën prodhuesin më të madh në botë. Në anën tjetër, rezervat e benzinës ranë me 7.7 milionë fuçi. Ndërkohë, sanksionet amerikane ndaj Venezuelës dhe kriza ekonomike në vend, kanë rrëzuar prodhimin në nivelin e ulët rekord prej 870,000 fuçi në ditë, sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
Ndërsa, prodhimi total i OPEC ra me 550,000 fuçi, gjatë marsit në 30.1 milionë fuçi në ditë. Agjencia, që koordinon politikat energjetike të vendeve të zhvilluara, deklaroi se rezervat në këto vende ranë me 21.7 milionë fuçi, gjatë marsit.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.