Nafta i rikthehet humbjeve – SHBA, IEA dhe Japonia do të përdorin rezervat strategjike
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie gjatë sesionit të sotëm, por investitorët janë vigjilentë ndaj mundësive për një përgjigje ushtarake ndaj sulmeve mbi fabrikat e naftës në Arabinë Saudite, që e përgjysmuan prodhimin e mbretërisë dhe shkaktuan një rritje drastike të çmimeve që nuk ishte parë prej dekadash.
Sulmet e fundjavës rritën frikën për një mungesë të konsiderueshme të naftës, në një kohë që tregjet janë të shqetësuar për ngadalësimin e kërkesës. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 68 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 62 dollarë për fuçi. Në sesionin e kaluar, ndërkohë, dy bençmarkët kryesorë e mbyllën tregtinë në rritje me rreth 15%, fitimet më të mëdha ditore në 30 vitet e fundit.
Ministri i Energjisë në Arabinë Saudite, Princi Abdulaziz bin Salman do të mbajë një konferencë për mediat në mbrëmjen e sotme, ndërsa deri më tani kompania shtetërore e naftës, Saudi Aramco nuk ka dhënë një afat specifik se kur do të rifillojë prodhimi i plotë. Sulmet ndaj fabrikave të përpunimit të naftës në Arabinë Saudite e ulën prodhimin me 5.7 milionë fuçi në ditë. Në sesionin e sotëm, çmimet janë gjendur nën presion nga perspektiva që Shtetet e Bashkuara, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë dhe disa vende të tjera, si Japonia të përdorin rezervat strategjike të naftës.
Por, kërcënimi gjeopolitik për një hakmarrje në Lindjen e Mesme po shkakton shqetësime. Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të hënën se me shumë mundësi Irani ishte prapa sulmeve, por shtoi se nuk dëshiron të shkojë në luftë. Teherani ka refuzuar çdo akuzë për përfshirje në këto sulme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.