Nafta, java nis me rritje – Tensioni në Lindjen e Mesme mbështet çmimet
Çmimet e naftës e nisën javën në rritje, duke prekur nivelin më të lartë në dy javët e fundit. Dy bençmarkët kryesorë po mbështeten nga rimëkëmbja e tregut të aksioneve dhe nga tensionet në Lindjen e Mesme.
Por, fitimet vazhdojnë të kufizohen nga rritja e prodhimit në SHBA. Bursat europiane u rritën për të katërtin sesion me radhë, duke vijuar rikuperimin, pas korrektimit të javëve të kaluara.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 65.2 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 62.2 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga 7 shkurti.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi të dielën se, Izraeli do të veprojë kundër Iranit i vetëm, pas incidenteve që ndodhëm në kufirin e Sirisë.
Ky zhvillim ka rikthyer frikën për konfrontime të tjera mes vendeve në Lindjen e Mesme. Gjithsesi, volumi i tregtisë është i ulët për shkak të pushimeve në SHBA dhe Kinë.
Referuar të dhënave të publikuara, aktiviteti i shpim-kërkimit në Amerikë, që është një indikator për prodhimin në të ardhmen, u rrit me 7 njësi në totalin e 798 puseve, niveli më i lartë që nga prilli i vitit 2015.
Rritja e prodhimit në SHBA po eklipson përpjekjet e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës dhe prodhuesve të tjerë, duke përfshirë Rusinë, për të ulur prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë, deri në fund të këtij viti.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.