Nafta kthehet në rritje – Investitorët presin përfundimin e takimit të OPEC+
Nafta po qëndron në rritje në sesionin e sotëm, pasi humbi rreth 1% të vlerës një ditë më parë. Investitorët janë në pritje të takimit të OPEC+, që rifillon ditën e sotme, ndërsa të hënën palët dështuan të arrinin një marrëveshje mbi kuotat e prodhimit.
Nafta është kthyer në rritje në orët e pasdites, pas një starti në territor negativ. Investitorët po tregohen të kujdesshëm, pasi janë në pritje të përfundimit të bisedimeve mes prodhuesve më të mëdhenj të naftës në botë, ndërkohë që kufizimet e reja po ngadalësojnë kërkesën. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 51.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 48.2 dollarë për fuçi.
Të dyja kontratat ranë me rreth 1% në sesionin e kaluar, pasi në ditën e parë të bisedimeve OPEC dhe aleatët e tjerë dështuan të arrinin një marrëveshje mbi kuotat e prodhimit, duke filluar nga muaji shkurt. Arabia Saudite u shpreh kundër rritjes së prodhimit për shkak të masave të reja të vendosura nga qeveritë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Ndërsa Rusia ishte për një prodhim më të lartë, duke cituar rimëkëmbjen e kërkesës. Ndërkohë, Anglia u rikthye sërish në karantinë të ashpër pasi infektimet me variantin e ri të koronavirusit janë rritur ndjeshëm. Në anën tjetër, çmimet po gjejnë një mbështetje nga tensionet në Lindjen e Mesme.
Garda Revolucionare e Iranit kapi një anije cisternë me flamurin e Koresë së Jugut në ujërat e Gjirit dhe ndaluan ekuipazhin e saj, për shkak të një mosmarrëveshje mes Teheranit dhe Seulit, mbi fondet iraniane të ngrira në bankat koreane, rrjedhojë e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.