Nafta ndryshon minimalisht – Brenti i Londrës, pranë nivelit maksimal 4-vjeçar
Çmimet e naftës po luhaten minimalisht në sesionin e sotëm, me naftën Brent që vijon të tregtohet pranë nivelit më të lartë në 4 vitet e fundit. investitorët vijojnë të jenë të kujdesshëm për shkak se po afron afati i hyrjes në fuqi të sanksioneve amerikane ndaj Iranit, që është data 4 nëntor. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 84.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 75.5 dollarë për fuçi. Që nga muaji gusht, nafta Brent është rritur me rreth 20%.
Nafta Bruto amerikane është rritur me rreth 17%. Çmimet po mbështeten edhe nga marrëveshja mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara për tregtinë e linë në Amerikën e Veriut, ku përfshihet edhe Meksika. Gjithsesi, arsyeja kryesore që ka mbështetur çmimet janë sanksionet amerikane ndaj Iranit.
Të dhënat e Reuters, treguan se, eksportet e Iranit gjatë shtatorit ranë në një nivel të ulët prej 1.9 milionë fuçi në ditë, nga 2.71 milionë fuçi, që ishin në maj. Ndërkohë, HSBC parashikon se, çmimet e naftës do të rriten në rreth 100 dollarë për fuçi. Me rritjen e çmimeve të naftës dhe me zhvlerësimin e shumë monedhave të vendeve në zhvillim, sidomos në Indi dhe Indonezi, analistët paralajmërojnë edhe për ngadalësimin e ekonomisë globale.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.