Nafta ndryshon minimalisht – Investitorët përllogarisin efektet e sanksioneve ndaj Iranit
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, por megjithatë vijojnë të tregtohen pranë nivelit më të lartë në 3 vite e gjysëm.
Çmimet po gjenden nën presion për shkak të rezistencës së Azisë dhe Europës në lidhje me rikthimin e sanksioneve ndaj Iranit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe rritja e aktivitetit të shpim-kërkimit në Amerikë po ushtron presion mbi çmimet.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 77 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 70.6 dollarë për fuçi. të dy bençmarkët vijojnë të tregtohen pranë nivelit më të lartë që nga nëntori i vitit 2014, kryesisht për shkak të sanksioneve ndaj Iranit.
Është ende e paqartë se sa do të goditet industria iraniane e naftës nga sanksionet e SHBA, por në një pjesë të madhe do të varet nga mënyra se si do të përgjigjen konsumatorët e tjerë të naftës ndaj Uashingtonit. Sanksionet ndaj Teheranit zyrtar do të hyjnë në fuqi në muajin nëntor.
Kina, Franca, Rusia, Britania, Gjermania dhe Irani janë dakord me marrëveshjen bërthamore të arritur në vitin 2015. Disa analistë parashikojnë se, eksportet e naftës bruto nga Irani do të bien me rreth 200 mijë fuçi, ndërsa të tjerë parashikojnë deri në 1 milionë fuçi.
Referuar të dhënave në SHBA, kompanitë amerikane të energjisë e rritën me 10 njësi numrin e puseve aktive, gjatë javës që u mbyll më 11 maj, në totalin e 844 puseve, niveli më i lartë që nga marsi i vitit 2015.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.