Nafta në luhatje minimale – SHBA, rriten rezervat, prodhimi dhe eksportet e naftës
Çmimet e naftës po ndryshojnë minimalisht në sesionin e sotëm, pasi po gjenden nën presion nga rritja e rezervave, prodhimit dhe eksportit të naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, çmimet po qëndrojnë në nivelin më të lartë në disa muaj. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 58.3 dollarë për fuçi, dhe gjendet pranë nivelit më të lartë në 26 muajt e fundit, prej 59.49 dollarë, të regjistruar në fillim të shtatorit.
Gjatë ditëve të fundit, tregu është mbështetur nga komentet e Arabisë Saudite, që shprehu vendosmërinë për të shtyrë marrëveshjen për uljen e prodhimit përtej marsit të vitit të ardhshëm.
Por, një arsye që ka vënë nën presion çmimet është fakti se, investitorët kanë tërhequr fitimet e realizuara gjatë dy javëve të fundit.
Referuar të dhënave në Shtetet e Bashkuara, rezervat u rritën me 856 mijë fuçi javën e kaluar, deklaroi Administrata për Informimin mbi Energjinë.
Analistët parashikonin një rënie të rezervave me 2.6 milionë fuçi. Në anën tjetër, edhe prodhimi i naftës bruto u rrit me 1.1 milionë fuçi në ditë, gjatë javës së kaluar, në totalin e 9.5 milionë fuçive.
Investitorët po ndjekin me një interes të veçantë edhe tensionet në veri të Irakut, ku forcat irakene të sigurisë rimorën pas 3 vitesh qytetin e Kirkukut, që ishte pushtuar nga rebelët kurdë.
Ky rajon prodhon rreth 600 mijë fuçi në ditë, por kapaciteti ka rënë ndjeshëm.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.