Nafta, në rënie të lehtë – Investitorët, të shqetësuar për ngadalësimin e ekonomisë
Çmimet e naftës po qendrojnë në rënie në sesionin e sotëm, për shkak se investitorët janë të shqetësuar për ngadalësimin e ekonomisë globale, që shumë shpejt mund të dëmtojë edhe kërkesën për naftë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 67.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 59.5 dollarë për fuçi. Në sesionin e kaluar, ndërkohë, çmimet u rritën me rreth 1.8%, për shkak të marrëveshjes së OPEC për uljen e prodhimit dhe sanksioneve amerikane ndaj Iranit dhe Venezuelës.
Në fokus të investitorëve janë edhe bisedimet mbi tregtinë mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Administratat e dy vendeve do të takohen sërish të enjten, në përpjekje për ti dhënë fund luftës tregtare që po zgjat prej 8 muajsh. Gjatë këtij viti, çmimet e naftës janë rritur me rreth 25%, kryesisht si rrjedhojë e uljes së prodhimit nga OPEC dhe rënies së eksporteve nga Irani dhe Venezuela. Por, në një farë mase, fitimet janë kufizuar nga shenjat për ngadalësimin e ekonomive në Azi, Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, Instituti Amerikan i Naftës, deklaroi se, rezervat e naftës u rritën me 1.9 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 1.2 milionë fuçi. Megjithatë, investitorët po presin të dhënat zyrtare që publikohen nga administrata amerikane, më vonë gjatë ditës së sotme.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.