Nafta, në rritje modeste – Investitorët, të shqetësuar për ngadalësimin e ekonomisë
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje të lehtë, gjatë sesionit të sotëm, për shkak të lajmeve pozitive nga sektori i shërbimeve në Kinë, duke i thënë fund tre sesioneve me radhë në rënie. Megjithatë, investitorët vijojnë të jenë të shqetësuar për ngadalësimin e ekonomisë globale. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 58.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 54.1 dollarë për fuçi.
Të dhënat e publikuara në SHBA treguan se, aktiviteti i sektorit të manifakturës u kontraktua gjatë gushtit, për herë të parë në tre vitet e fundit, ndërsa aktiviteti në Eurozonë ra për të shtatin muaj me radhë. Edhe tregjet e aksioneve u rimëkëmben gjatë sesionit të sotëm, pasi një vëzhgim mbi aktivitetin e sektorit të shërbimeve në Kinë tregoi zgjerimin më të shpejtë në tre muajt e fundit, gjatë gushtit. Kina është konsumatori i dytë më i madh i naftës në botë dhe importuesi më i madh.
Por, presidenti amerikan Donald Trump, paralajmëroi se do të ishte më i ashpër me Pekinin, gjatë mandatit të dytë, nëse bisedimet tregtare shtyhen më tej, duke shtuar frikën se mosmarrëveshjet tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë mund të shkaktojnë një recesion në SHBA. Për shkak të këtyre zhvillimeve, Citi uli parashikimin për naftën Brent me 10 dollarë për tremujorin e tretë dhe të katërt, respektivisht në 62 dhe 64 dollarë për fuçi. Gjithashtu banka parashikon se ky bençmark do të bjerë në 53 dollarë në fund të vitit 2020.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.