Nafta “përmbys” trendin – Fillon rënia e çmimeve, SHBA dhe OPEC rrisin prodhimin
Çmimet e naftës u regjistruan në rënie gjatë sesionit të sotëm, duke zhbërë kështu trendin e sesioneve të kaluara. Rënia vjen si pasojë e normalizimit të situatës në Libi, ku javën e kaluar protestat dhe tensionet shkaktuan pezullim të prodhimit të naftës, duke e reduktuar me plot 250 mijë fuçi në ditë.
Edhe rritja e aktivitetit të shpim-kërkimit në Shtetet e Bashkuara ka pasur ndikim në trajektoren e çmimeve të naftës gjatë sesionit të sotëm. Në çelje të sesionit të së martës, nafta brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 52.90 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 50.01 dollarëve për fuçi.
Ekspertët shprehen se çmimet do të marrin një kthesë në rënie gjatë ditëve në vijim. Nga ana tjetër, edhe disa prodhues të tjerë të mëdhenj të OPEC po rrisin prodhimin. Eksportet e Iranit kanë prekur nivele te reja rekord.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.