Nafta, pranë 80 USD – Rënia e prodhimit në Venezuelë mbështet çmimet
Çmimet e naftës janë rritur drejt 80 dollarëve për fuçi në sesionin e sotëm, për shkak të rënies së prodhimit në Venezuelë dhe pritshmërive për një ulje të eksporteve edhe nga Irani.
Këto zhvillime kanë shtuar shqetësimet përsa i përket furnizimit të tregut global me naftë. Në këtë mënyrë, nafta po tregtohet sërish pranë nivelit më të lartë që nga nëntori i vitit 2014.
Çmimet po gjejnë një mbështetje edhe nga marrëveshja e OPEC, Rusisë dhe disa vendeve të tjera për të ulur prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë dhe nga kërkesa e fortë.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 79.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 72.6 dollarë për fuçi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione shtesë ndaj Venezuelës, pasi presidenti Nicolas Maduro u rizgjodh në këtë post, në zgjedhjet e së dielës.
Sipas analistëve, ky vendim do të rrëzojë më tej prodhimin e naftës, që aktualisht gjendet në nivelin më të ulët në një dekadë. Venezuela dhe Irani janë vende anëtare të OPEC, dhe së bashku me aleatët kanë nënshkruar marrëveshjen për uljen e prodhimit në janar të 2017.
Teorikisht, për shkak të rënies së prodhimit nga këto vende, Arabia Saudite dhe anëtarët e tjerë duhet të prodhojnë më tepër naftë për të plotësuar kërkesën.
Investitorët janë në pritje të të dhënave mbi rezervat e naftës në SHBA, që sipas analistëve pritet të kenë rënë me 2.8 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.