Nafta publikon fitime modeste – Tensioni në Lindjen e Mesme vijon të mbështesë çmimet
Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, për shkak të shqetësimeve që kanë të bëjnë me tensionin në Lindjen e Mesme, që mund të çrregullojë furnizimin e tregut. Megjithatë, pritshmëritë për një rritje të mëtejshme të prodhimit në SHBA po kufizojnë fitimet.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 65.6 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 70.2 dollarë për fuçi. Analistët shprehen se, rritja e tensioneve gjeopolitike është arsyeja kryesore që po mbështet çmimet.
Rreziku më i madh është rivendosja e sanksioneve ndaj Iranit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, Iraku, që është prodhuesi i dytë më i madh i OPEC deklaroi se, e mbështet idenë për të shtyrë edhe në vitin 2019 marrëveshjen për uljen e prodhimit me 1.8 milionë fuçi në ditë.
Megjithatë, investitorët po tregohen të kujdesshëm, pasi ka sinjale se tregu i naftës mund të shkojë në drejtim të kundërt, pra drejt rënies. Prodhimi i naftës në SHBA është rritur me rreth 25%, që nga mesi i vitit 2016, në 10.4 milionë fuçi në ditë.
Tashmë SHBA ka tejkaluar Arabinë Saudite dhe qëndron prapa Rusisë, që prodhon rreth 11 milionë fuçi në ditë, duke u bërë prodhuesi i dytë më i madh në botë.
Në Azi, ndërkohë, kontratat “futures” të naftës bruto në Shanghai, ranë ndjeshëm në sesionin e dytë të tregtimit, por volumi ka qenë i lartë. Nafta e Shanghait ra me rreth 2% në 424 juan ose 67.85 dollarë për fuçi.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.