Nafta i rikthehet humbjeve – Ndikon rritja e prodhimit në SHBA dhe forcimi i dollarit
Nafta Brent e Londrës ra sërish poshtë 66 dollarëve për fuçi në sesionin e fundit të kësaj jave, pas rritjes së konsiderueshme në orët e pasdites së djeshme.
Gjatë ditës së sotme, çmimet po gjenden nën presion për shkak të shqetësimeve që kanë të bëjnë me rritjen e prodhimit në SHBA, që ka eklipsuar marrëveshjen e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë.
Gjatë javës së kaluar, prodhimi në SHBA rezultoi në 10.27 milionë fuçi në ditë. Edhe eksportet u rritën në më shumë se 2 milionë fuçi në ditë, një niveli i përafërt me 2.1 milionë fuçi të eksportuara në tetor të 2017.
Nafta Brent e Londrës, që është bençmarku global i naftës, po tregtohet në rreth 66 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 62.6 dollarë për fuçi.
Gjithashtu, rënia e çmimeve të naftës është ndikuar edhe nga forcimi i dollarit amerikan, që e bën naftën dhe lëndët e tjera të para në denominuara në monedhën amerikane, më të shtrenjta për zotëruesit e monedhave të tjera.
Ndërkohë, në orët e pasdites së djeshme, çmimet u rritën ndjeshëm për shkak se, Administrata për Informimin mbi Energjinë në SHBA raportoi një rënie surprizë të rezervave të naftës bruto, me 1.6 milionë fuçi, kundrejt parashikimeve për rritje të rezervave.
Megjithatë, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, nuk po shqetësohet për rritjen e prodhimit në SHBA, ndërsa shprehet se tregu po shkon me shpejtësi drejt stabilizimit.
“Mendon se hapi i rritjes së çmimeve është shumë i mirë, marrëveshja po funksionon”, deklaroi ministri i Energjisë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.