Nafta rimëkëmbet në tregtinë e fundit – Investitorët nuk i “tremben” nxjerrjes së rezervave të SHBA dhe Kinës
Çmimet e naftës janë rritur ditën e Premte, pas luhatjeve të mëdha një ditë më parë, ndërkohë që investitorët presin që nxjerrja e rezervave strategjike në treg nga ekonomitë e mëdha, të ketë më pak ndikim se sa pritej. Nafta Brent e Londrës u rrit me 0.9% në 82.01 dollarë për fuçi, pasi preku nivelin më të ulët në 6 javë ditë ne Enjte.
Nafta Bruto amerikane u rrit me 1%, në 79.8 dollarë për fuçi, pasi u luhat në një varg prej mbi 2 dollarë në sesionin e kaluar. Pavarësisht rimëkëmbjes në sesionin e fundit tregtar, të dy çmimet referencë, po i drejtohen javës së katërt radhazi të humbjeve. Luhatjet e ditës së Enjte erdhën pas raportimeve se SHBA i kanë kërkuar Kinës, Japonisë dhe importuesve të tjerë gjigantë, që të nxjerrin në treg rezervat strategjike të naftës në mënyrë të koordinuar, për të ulur çmimet. Analistët e naftës tek banka e investimeve Goldman Sachs, thonë se kjo lëvizje do të ofrojë vetëm një ndreqje afat-shkurtë të një defiçiti strukturor.
Përpjekja e adminsitratës së Biden për një nxjerrje të koordinuar të rezervave të naftës është parë si një sinjal ndaj kartelit të prodhuesve OPEC, se duhet të rrisë prodhimin për të trajtuar shqetësimet e çmimeve të larta të naftës në ekonomitë më të mëdha në botë, duke nisur nga SHBA, Kina dhe Japonia. Nafta Brent është rritur me thuajse 60% këtë vit dhe së fundmi është nxitur nga tkurrja e gjerë në energji, ndërkohë që ekonomitë po rimëkëmben nga pandemia dhe kanë rritur kërkesën dhe nga ana tjetër, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, nuk po rrit sa duhet prodhimin.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.