Nafta rritet lehtë – Afron data e sanksioneve amerikane ndaj Iranit
Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje të lehtë në sesionin e fundit të kësaj jave, pasi investitorët parashikojnë një shtrëngim të tregut, për shkak të sanksioneve amerikane ndaj eksporteve të Iranit, që hyjnë në fuqi muajin e ardhshëm. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 84.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 74.6 dollarë për fuçi.
Sanksionet amerikane do të shënjestrojnë eksportet iraniane duke filluar nga 4 nëntori, ndërsa Uashingtoni po ushtron presion ndaj qeverive dhe kompanive për të mos importuar naftë nga ky vend. Ndërkohë, banka e investimeve, Jefferies, deklaroi se aktualisht ka mjaftueshëm naftë në treg për të plotësuar kërkesën, por paralajmëroi se kjo situatë mund të ndryshojë shumë shpejt, nëse vendet e tjera prodhuese nuk rrisin prodhimin për të kompensuar mungesën e Iranit.
Në anën tjetër, banka Goldman Sachs parashikon një kërkesë të fortë për naftë, por kjo mund të ketë një efekt negativ për shkak se mund të rriten çmimet, në një kohë që shumë monedha të vendeve në zhvillim po dobësohen përballë dollarit amerikan.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.