Nafta rritet lehtë – Bie prodhimi në Kanada dhe eksportet në Libi
Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje në sesionin e sotëm, për shkak të rënies së prodhimit në Kanada dhe paqartësive që kanë të bëjnë me eksportet e Libisë. Megjithatë, fitimet po kufizohen nga rritja e prodhimit nga OPEC dhe intensifikimit të konfliktit tregtar mes SHBA dhe ekonomive të tjera të mëdha. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 75 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 68.3 dollarëve për fuçi.
Nafta Brent, që supozohet se reflekton trendin e kërkesës dhe ofertës globale, është mbështetur nga paqartësitë që kanë të bëjnë me eksportet e Libisë, që është një vend anëtar i OPEC. Në anën tjetër, problemet me prodhimin në një prej zonave më të mëdha naftëmbajtëse në Kanada, kanë mbështetur naftën bruto amerikane. Gjithashtu, çmimet më të larta të naftës së papërpunuar dhe rritja e eksporteve të karburanteve nga Kina kanë ulur prodhimin nga rafineritë në Azi në nivelin më të ulët në dy vjet.
Tregu i naftës është stabilizuar ndjeshëm që nga viti 2017, kur OPEC dhe partnerët vendosën të ulin prodhimin për të mbështetur çmimet. Por, pavarësisht marrëveshjes së OPEC javën e kaluar për rritjen e prodhimit, analistët mendojnë se çmimet e naftës do të vijojnë rritjen gjatë këtij viti. Bank of America Merrill Lynch tha se, nafta Brent mund të rritet deri në 90 dollarë për fuçi deri në tremujorin e dytë të vitit 2019.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.