Nafta rritet lehtë – Fitimet kufizohet nga kriza e vendeve në zhvillim
Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve të sesionit të kaluar. Çmimet po gjenden nën presion për shkak shqetësimeve që kanë të bëjnë me krizën e vendeve në zhvillim dhe luftën tregtare mes ekonomive më të mëdha në botë.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 78.2 dollarë për fuçi, pas rënies me rreth 2% në sesionin e së enjtes. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 68.7 dollarë për fuçi, ndërsa një ditë më parë ra me 2.5%.
Analistët mendojnë se, tregu përballet me disa rreziqe, sidomos nga ekonomitë në zhvillim, pjesërisht për shkak të zhvlerësimit të monedhave tyrë në raport me dollarin amerikan.
Ndërkohë, mediat shtetërore kineze raportuan se zyrtarët në vend e kanë mirëpritur ftesën e Uashingtonit për negociata të reja.
Por, presidenti Donald Trump, deklaroi në Tëitter se Shtetet e Bashkuara janë superiorë në këto bisedime.
“Ne nuk jemi në presion për të arritur një marrëveshje me Kinën, ata janë nën presion për të arritur një marrëveshje me ne”, shkruan Trump.
Por, shifrat tregojnë të kundërtën. Referuar të dhënave të administratës amerikane, prodhimi i naftës bruto në SHBA ra me 100 mijë fuçi, gjatë javës së kaluar, në totalin e 10.9 milionë fuçi në ditë.
Mungesa e naftës iraniane në treg, duke filluar nga nëntori, për shkak të sanksioneve amerikane, gjithashtu përbën një shqetësim për investitorët.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.