Nafta rritet lehtë – Ndikon rënia e rezervave tregtare në SHBA
Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, për shkak të rënies së rezervave tregtare të naftës në SHBA dhe uljes së kapacitetit të Libisë për të magazinuar naftën. Gjithsesi, investitorët po tregohen të kujdesshëm, pasi janë në pritje të takimit mes OPEC dhe Rusisë që zhvillohet në fundjavë, ku do të përcaktohen politikat e prodhimit. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 75.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 65.6 dollarë për fuçi.
Referuar të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës, që nuk janë të dhëna zyrtare, rezervat e naftës në SHBA ranë me 3 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 15 qershor, në totalin e 430.6 milionë fuçive. Linderi de facto i OPEC, Arabia Saudite dhe prodhuesi më i madh në botë, Rusia, që nuk është anëtar i kartelit, kanë sinjalizuar se do të rrisin gradualisht prodhimin, për t’ju përgjigjur kërkesës së fortë. Në anën tjetër, disa anëtarë të organizatës, duke përfshirë edhe Iranin, janë kundër një lëvizjeje të tillë, duke shprehur frikën për rënien e çmimeve.
Tregjet janë nën presion edhe për shkak të rritjes së tensioneve tregtare mes SHBA dhe Kinës, pasi Pekini sinjalizoi se do të vendosë tarifa prej 25% për naftën që importohet nga Amerika. Kjo do të dëmtonte pa dyshim një biznes që vlen rreth 1 miliard dollarë në muaj.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.