Nafta rritet lehtë – Rezervat e naftës në SHBA bien me 4.3 mln fuçi
Nafta po tregtohet e qëndrueshme në sesionin e sotëm, pasi rritja e rezervave të karburanteve të rafinuara në SHBA ka eklipsuar rënien e rezervave të naftës bruto, në nivelin më të ulët që nga viti 2015.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 76.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 67.7 dollarë për fuçi.
Sipas të dhënave të Administratës për Informimin mbi Energjinë, rezervat e naftës bruto komerciale në SHBA ranë me 4.3 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 31 gusht, në totalin e 401.49 milionë fuçive, niveli më i ulët që nga shkurti i vitit 2015.
Por, në anën tjetër rezervat e benzinës u rritën me 1.8 milionë fuçi, ndërsa rezervat e karburanteve të distiluara, që përfshijnë naftën për automjete dhe naftën për ngrohje u rritën me 3.1 milionë fuçi.
Përsa i përket krahut të ofertës, prodhimi në SHBA qëndroi në një rekord prej 11 milionë fuçi në ditë, gjatë javës së kaluar.
Çmimet po gjejnë një mbështetje të lehtë nga sanksionet amerikane ndaj Iranit, që është një prodhues i rëndësishëm i OPEC.
Për këtë arsye, analistët mendojnë se Arabia Saudite duhet ta mbajë prodhimin në intervalin nga 10.5 deri në 11.7 milionë fuçi në ditë deri në fund të vitit 2020, për të një rritje të ndjeshme të çmimeve.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.