Nafta rritet me mbi 4% – OPEC bie dakord të ulë prodhimin me 1.2 mln fuçi në ditë
Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm në orët e pasdites, pasi OPEC dhe Rusia arritën një marrëveshje për të ulur prodhimin, në përfundim të takimit dyditor, që u zhvillua në Vjenë. Marrëveshja vjen pavarësisht presionit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të mos ulur prodhimin. “Karteli i naftës dhe aleatët e tjerë ranë dakord të ulin prodhimin me 1.2 milionë fuçi naftë në ditë”, deklaroi ministri iranian i naftës.
Sipas marrëveshjes, OPEC do të reduktojë prodhimin me 800 mijë fuçi në ditë, ndërsa Rusia me 400 mijë fuçi. Marrëveshja është në linjë me parashikimet e analistëve, që prisnin një ulje të prodhimin nga 1 milion deri në 1.4 milionë fuçi në ditë. Pas publikimit të këtij lajmi, nafta Brent e Londrës u rrit deri në 63 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane u rrit në 53.7 dollarë për fuçi.
Takimi i OPEC dhe aleatëve të tjerë, vjen në një kohë që çmimet e naftës kanë rënë me rreth 30%, që nga fillimi i tetorit dhe kanë realizuar humbjet më të mëdha mujore që nga kriza financiare e vitit 2008. Debati ka qenë i tensionuar, pasi tashmë sanksionet amerikane ndaj Iranit, që është prodhuesi i tretë më i madh i OPEC, e kanë reduktuar në mënyrë domethënëse furnizimin e tregut. Për këtë arsye, ministri iranian i naftës, tha se, vendi i tij nuk duhet të detyrohet të reduktojë prodhimin, për shkak të sanksioneve që mbështeten edhe nga sauditët.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.