Nafta rritet në sesionin e fundit javor – OPEC+ do mblidhet përsëri nëse Omicron godet kërkesën
Nafta është rritur në tregtinë e fundit të javës, duke zgjeruar fitimet e sesionit të kaluar, pasi OPEC+ deklaroi se do të rishikojë shtimin e ofertës përpara takimit të ardhshëm nëse varianti Omicron godet kërkesën. Megjithatë, çmimet ndodhen në kursin e rënies për të gjashtën javë radhazi. Nafta brent u rrit me $1.34 apo 1.9% në 71.01 dollarë për fuçi, pasi shtoi rreth 1.2% në tregtinë e kaluar.
Nafta bruto amerikane u rrit me $1.38 apo 2.1% në $67.88 për fuçi, pasi shtoi 1.4% ditën e Enjte. Organizata e vendeve Eksportuese të Natës, së bashku me aleatët, që njihen si OPEC+, surprizuan tregjet në takimin e 2 Dhjetorit, kur i qëndruan planit për të shtuar 400,000 fuçi në ditë në Janar. Megjithatë, prodhuesit e lanë të hapur mundësinë e ndryshimit të politikave nëse kërkesa goditet nga masat për të përmbajtur Omicron. Ministrat ranë dakord se do të takohen përsëri përpara takimit të 4 Janarit nëse do jetë e nevojshme.
Tregu është trazuar nga shfaqja e Omicron dhe spekulimet se mund të sjellë masa të reja të karantinës, duke goditur kërkesën për karburant dhe detyruar OPEC që të pezullojë rritjen e prodhimit. Për javën e plotë, Brent pritet të mbyllet në rënie me rreth 2.4% dhe të dy çmimet referencë ndodhen në rënie për të 6-n javë radhazi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.