Nafta rritet në tregtinë e fundit javore – OPEC+ injoron thirrjet e SHBA për të rritur shpejt prodhimin
Nafta është rritur në ditën e fundit tregtare të kësaj jave, duke u rimëkëmbur pjesërisht pasi prodhuesit e OPEC refuzuan thirrjet e SHBA për të rritur shpejtë ofertën dhe mbajtën të pandryshuar planin e rritjeve graduale të prodhimit.
Nafta brent u rrit me 0.7% në 81.07 dollarë për fuçi, pasi ra me thuajse 2% ditën e Enjte. Nafta bruto amerikane u rrit me 1.2% në 79.77 dollarë për fuçi, pasi humbi 2.5% në sesionin e mëparshëm tregtar. OPEC+ ra dakord të mos devijojë nga planet për të rritur prodhimin me 400,000 fuçi në ditë nga Dhjetori, duke injoruar thirrjet e presidentit Joe Biden, për prodhim shtesë që të zbuten çmimet. OPEC+, që grupon Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe prodhues të tjerë të mëdhenj si Rusia, ka kufizuar ofertën pasi pandemia solli rënie të kërkesës.
Çmimet e naftës kanë prekur së fundmi nivelin më të lartë në 7 vite, por ranë këtë javë, prej rritjes së inventarëve në SHBA dhe sinjaleve se çmimet e larta mund të inkurajojnë rritje të ofertës. Brent ndodhet në një rënie javore prej 4%, ndërsa indeksi amerikan, po i drejtohet një rënieje prej 5%. Çmimi me pakicë i benzinës në SHBA pranë 4 dollarë për galon apo 1.05 dollarë për litër, konsiderohet si presion për shoferët amerikan. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Ëashingtoni do konsiderojë një serë mjetesh në dispozicion për të garantuar akses tek energjia e përballueshme pas takimit të OPEC.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.