Nafta, sërish në rënie – Importet nga Kina rriten në rekordin e 10.64 mln fuçive në ditë
Çmimet e naftës kanë zgjeruar humbjet në sesionin e sotëm, por rënia po kufizohet nga sanksionet amerikane ndaj Iranit dhe Venezuelës dhe nga rritja e importeve të naftës bruto në Kinë, gjatë prillit. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 61.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 70 dollarë për fuçi.
Importet e naftës nga Kina u rritën në një rekord prej 10.64 milionë fuçi në ditë, gjatë prillit, në rritje me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, për katër-mujorin Kina importoi rreth 10 milionë fuçi në ditë, në rritje me 8.9%, krahasuar me vitin 2018. Rritja e kërkesës nga Kina vjen në një kohë që furnizimi i tregut po tkurret. Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje blerësve kryesorë të naftës iraniane, duke përfshirë edhe Kinë, të ndalojnë blejet nga Irani, duke filluar nga 1 maji.
Por, Teherani zyrtar ka deklaruar se do të injorojë sanksionet dhe do të vazhdojë të eksportojë naftë. Gjithashtu, Irani nuk do ti përmbahet angazhimeve të vitit 2015, si pjesë e marrëveshjes bërthamore me fuqitë e mëdha. Shumica e analistëve parashikojnë se, eksportet e naftës së Iranit do të bien në rreth 500 mijë fuçi, nga rreth 1 milionë që ishin në prill.
Sanksionet vijnë në një kohë që OPEC po zbaton marrëveshjen për uljen e prodhimit me 1.2 milionë fuçi në ditë, e cila është në fuqi deri në qershor. Sekretari amerikan i Energjisë, Rick Perry, deklaroi të martën se Arabia Saudite, që është de facto lider i OPEC, duhet të rrisë prodhimin për të plotësuar mungesën e shkaktuar nga Irani. Në fokus të investitorëve janë edhe bisedimet SHBA-Kinë mbi tregtinë, të cilat janë tensionuar në ditët e fundit.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.