Nafta shfaqet e qëndrueshme – Rezervat në SHBA, rritje surprizë me 400 mijë fuçi
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të lehtë gjatë sesionit të sotëm, pasi të dhënat e publikuara në SHBA treguan një rritje surprizë të rezervave gjatë javës së kaluar. Megjithatë, shpresat për zgjidhjen e konfliktit tregtar SHBA-Kinë po mbështesin çmimet. Instituti Amerikan i Naftës, që është një grup industrial, deklaroi se rezervat u rritën me 400 mijë fuçi, gjatë javës së kaluar, ndërsa analistët parashikonin një rënie.
Megjithatë, investitorët po presin të dhënat zyrtare që publikohet më vonë gjatë ditës së sotme nga Administrata për Informimin mbi Energjinë. Tregjet presin një rënie të rezervave me 2.5 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 30 gusht. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 60.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 55.8 dollarë për fuçi.
Në sesionin e kaluar, çmimet e naftës u rritën me rreth 4%, për shkak të të dhënave pozitive mbi ekonominë kineze. Ndërsa në ditën e sotme ministria kineze e tregtisë tha se Pekini dhe Uashingtoni kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime mbi tregtinë në fillim të tetorit. Lufta e zgjatur tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë ka ushtuar presion mbi çmimet e naftës, por, megjithatë Brenti i Londrës është në rritje me rreth 12% për këtë vit.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.