Nafta tregtohet e qëndrueshme – Angazhimi i Arabisë Saudite mbështet lehtë çmimet
Çmimet e naftës e kanë filluar javën në qëndrueshmëri dhe po qëndrojnë në nivelin më të lartë në 2 javët e fundit, të mbështetur nga komentet e Arabisë Saudite, se do të vazhdojë të ulë eksportet në linjë me angazhimet e OPEC.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 63.7 dollarë për fuçi, ndërsa gjatë javës së kaluar fitoi rreth 3% të vlerës. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 67.4 dollarë për fuçi, pas rritjes me rreth 4%, javën e kaluar.
Të dy bençmarkët po tregtohen në nivelin më të lartë që nga 7 shkurti. Sipas analistëve, rritja e tregut të aksioneve, e bën më të lehtë për të blerë asete me risk, siç është nafta.
Por, në anën tjetër, ekzistojnë shqetësimet për një rritje të vazhdueshme të prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në sesionin e sotëm, çmimet u mbështetën nga komentet e ministrit të naftës në Arabinë Saudite, Khalid al-Falih, i cili tha se prodhimi nga vendi i tij në periudhën Janar-Mars, do të jetë poshtë tavanit të përcaktuar, në rreth 7 milionë fuçi në ditë.
Arabia Saudite shpreson se, OPEC dhe aleatët e tjerë do të jenë në gjendje të ulin kurbën e prodhimit deri në vitin 2019 dhe të krijojnë një kuadër ligjor për të stabilizuar tregun e naftës.
Ndërkohë, përsa i përket të dhënave, kompanitë amerikane të energjisë rritën aktivitetin e shpim-kërkimit, për të pestën javë me radhë, në totalin e 799 puseve, niveli më i lartë që nga prilli i vitit 2015.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.