Nafta tregtohet e qëndrueshme. Investitorët presin vendimin e OPEC+ mbi kuotat e prodhimit
Nafta po shfaqet e qëndrueshme edhe në sesionin e sotëm, ndërsa vijon të gjendet nën presion si pasojë e rritjes së rezervave në SHBA dhe shtyrjes së vendimit të OPEC+ për kuotat e prodhimit. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 47 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 44 dollarë për fuçi. Të dhënat e publikuara nga Instituti Amerikan i Naftës treguan se rezervat e naftës bruto u rritën me 4.1 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 2.4 milionë fuçi. Të dhënat vijnë ndërkohë që OPEC dhe aleatët e tjerë vendosën të shtyjnë bisedimet për politikat e prodhimit deri të enjten, ndërsa duhej të përfundonin të martën. Kjo tregon se vendet më të mëdha prodhuese në botë po hasin vështirësi në arritjen e një marrëveshje. Aktualisht, OPEC+ po zbaton marrëveshjen për uljen e prodhimit me 7.7 milionë fuçi në ditë, pasi pandemia e koronavirusit ka dëmtuar kërkesën. Sipas marrëveshjes së muajit prill, grupi duhet të rrisë prodhimin me 2 milionë fuçi duke filluar nga janari, por rritja e infektimeve mund ta shtyjë këtë vendim deri më mars. Megjithatë, humbjet po kufizohen nga shpresat se shumë shpejt do të fillojë vaksinimi kundër Covid-19 në shumë vende të botës, që përkthehet në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe të kërkesës për naftë.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.