Nafta tregtohet e qëndrueshme – Luftimet në Libi mbështesin lehtë çmimet
Çmimet e naftës po luhaten minimalisht në sesionin e sotëm dhe po qëndrojnë pranë nivelit më të lartë në 5 muajt e fundit, të regjistruar në sesionin e kaluar.
Çmimet po gjejnë një mbështetje nga luftimet në Libi, që mund të shkaktojnë një mungesë tjetër të furnizimit. Gjithashtu, marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimit i ka rritur çmimet e naftës me rreth 30% gjatë këtij viti, pavarësisht presionit për ngadalësimin e ekonomisë globale.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 71.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 64.5 dollarë për fuçi. Libia, që është një vend anëtar i OPEC, prodhon rreth 1.1 milionë fuçi në ditë, ose 1% të prodhimit global. Të hënën, një avion luftarak sulmoi aeroportin e vetëm funksional të Tripolit ndërsa forcat lindore përparuan drejt kryeqytetit, duke shpërfillur thirrjen e ndërkombëtarëve për një armëpushim.
Në anën tjetër, shqetësimet për ngadalësimin e ekonomisë globale kanë kufizuar rritjen e çmimeve. Edhe rritja e fundit e rezervave të naftës në SHBA ka kufizuar fitimet. Gjatë kësaj jave, ndërkohë, rezervat e naftës parashikohet të jenë rritur me rreth 2.5 milionë fuçi. Në këtë situatë, rritja e çmimeve mund të detyrojë OPEC të mbyllë marrëveshjen e uljes së prodhimit në takimin e qershorit.
Të hënën, Rusia, që është pjesë e kësaj marrëveshjeje, sinjalizoi se mund të rrisë prodhimin, për shkak të rënies së rezervave.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.