Nafta tregtohet e qendrueshme – Për 2019, çmimet janë rritur me 25%, mbështeten nga OPEC
Çmimet e naftës po ndryshojnë minimalisht në sesionin e parë të kësaj jave, por po regjistrojnë fitimet më të mëdha tremujore në tetë vitet e fundit. Investitorët besojnë se, ulja e prodhimit nga OPEC do të stabilizojë tregun e naftës dhe do të ulë rezervat globale. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 66 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 55.9 dollarë për fuçi.
Çmimet e naftës janë rritur me rreth 25%, gjatë këtij viti, performanca më e mirë që nga tremujori i parë i vitit 2011. Tashmë, rafineritë në të gjithë botë duhet të paguajnë më tepër për të pasur të njëjtën sasi nafte. Çmimet po gjejnë një mbështetje edhe nga sanksionet amerikane ndaj Iranit dhe Venezuelës. Megjithatë, fitimet po kufizohen nga të dhënat në Kinë, që treguan se shitja e makinave vijoi rënien edhe gjatë janarit, duke rritur shqetësimet për ngadalësimin e ekonomisë së dytë më të madhe në botë.
Në anën tjetër, firmat amerikane të energjisë e rritën numrin e puseve aktive, gjatë javës së kaluar, me 3 njësi, në totalin e 857 puseve. Investitorët do të jenë të fokusuar edhe te bisedimet SHBA-Kinë, që rifillojnë këtë javë në Uashington. Presidentët e dy vendeve kanë shprehur besimin e tyre se, palët do të arrijnë një marrëveshje, duke shmangur në këtë mënyrë luftën tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.