Nafta tregtohet e qëndrueshme – Rënia e rezervave në SHBA zbehet nga rritja e prodhimit
Çmimet e naftës po shfaqen të qëndrueshme në sesionin e sotëm, por megjithatë kanë rikuperuar një pjesë të vogël të humbjeve të një dite më parë.
Rënia e inventarëve të naftës së papërpunuar në SHBA u eklipsua nga rritja e prodhimit dhe nga rritja e rezervave të karburanteve. Nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 56 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 61.3 dollarë për fuçi.
Rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me 5.6 milionë njësi, gjatë javës që u mbyll më 1 dhjetor, në totalin e 448.1 milionë fuçive.
Në anën tjetër, rezervat e karburanteve të gatshme për tu përdorur nga automjetet u rritën me 6.8 milionë fuçi, në totalin e 220.9 milionë fuçive, referuar të dhënave të Administratës për Informimin mbi Energjinë.
Analistët parashikonin një rritje me 1.7 milionë fuçi. Sipas agjencisë, prodhimi në SHBA u rrit me 25 mijë fuçi, në totalin e 9.71 milionë fuçive në ditë, niveli më i lartë që nga viti 1970.
Rritja e prodhimit amerikan ka kërcënuar angazhimin e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë, në përpjekje për të balancuar tregun.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.