Nafta tregtohet e qendrueshme – Rezervat e naftës bruto në SHBA bien me 5.1 mln fuçi
Çmimet e naftës po ndryshojnë shumë pak, gjatë sesionit të sotëm, megjithatë tendenca është në rritje të lehtë, për shkak të të dhënave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që treguan një rënie të rezervave të naftës bruto. Në anën tjetër, furnizimi i tregut vijon të jetë i lartë për shkak se rafineritë i janë rikthyer operacioneve me kapacitet të plotë.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 69.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 63.9 dollarë për fuçi. Në përpjekje për të balancuar tregun, OPEC, Rusia dhe 9 vende të tjera prodhuese kanë vendosur të ulin prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë, nga janari i vitit 2017 deri në fund të këtij viti.
Për sa i përket të dhënave, rezervat e naftës Bruto në SHBA ranë me 5.1 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 12 janar, në totalin e 411.5 milionë fuçive, deklaroi Instituti Amerikan i Naftës. Por, analistët vijojnë të paralajmërojnë se, pavarësisht rritjes çmimet mund të korrektohen në kahun rënës, për shkak se që nga dhjetori i vitit të kaluar, çmimet janë rritur me 14%.
Në anën tjetër, rezervat e benzinës së gatshme për tu përdorur u rritën me 1.8 milionë fuçi, ndërsa rezervat e karburanteve të distiluara, që është nafta për automjetet dhe për ngrohje u rritën me 609 mijë fuçi.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.