Nafta tregtohet e qendrueshme – Rritja e prodhimit në SHBA kufizon fitimet
Çmimet e naftës po ndryshojnë minimalisht, gjatë sesionit të sotëm, ndërsa një ditë më parë publikuan fitime të konsiderueshme, për shkak të rënies së rezervave të naftës në SHBA.
Por, në anën tjetër, rritja e prodhimit në Shtetet e Bashkuara, pranë 10 milionë fuçive në ditë, ka kufizuar fitimet dhe po dëmton përpjekjet e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 58 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 64.6 dollarëve për fuçi. Të dy bençmarkët fituan rreth 1% të vlerës në sesionin e së mërkurës, për shkak të rënies së rezervave të naftës bruto në SHBA.
Referuar të dhënave të Agjencisë për Informimin mbi Energjinë, rezervat e naftës bruto ranë me 6.5 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll në 15 dhjetor, në totalin e 436 milionë fuçive, niveli më i ulët që nga tetori i vitit 2015.
Në anën tjetër, në treg janë vënë re shenja të balancimit të raportit kërkesë-ofertë, si rezultat i uljes së Prodhimit nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe Rusisë.
Por, pavarësisht kësaj, ministri i energjisë në Arabinë Saudite, që është de-facto lider i OPEC, deklaroi se do të duhet më shumë kohë, për të zbutur mbifurnizimin e tregut. Ndërkohë, prodhimi në SHBA që është rritur në rreth 9.8 milionë fuçi në ditë, ka dëmtuar këtë marrëveshje.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.