Nafta tregtohet e qëndrueshme – Vijon të gjendet nën presion për shkak të mbifurnizimit
Çmimet e naftës po ndryshojnë minimalisht, gjatë sesionit të sotëm, por vijojnë të gjenden nën presion për shkak të pritshmërive për mbifurnizimit e tregut, gjatë vitit të ardhshëm. Për këtë arsye, OPEC, që kryesohet nga Arabia Saudite po konsideron një ulje të prodhimit me 1.4 milionë fuçi në ditë, për të shmangur një rritje të rezervave globale të naftës, dhe për rrjedhojë një rënie të çmimeve, siç ndodhi në vitin 2014.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 66.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 55.9 dollarë për fuçi. Edhe analistët e mbështesin një ulje të prodhimit për të balancuar tregun, madje me 1.5 milionë fuçi në ditë. Gjatë kësaj jave, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë dhe OPEC paralajmëruan për një suficit të tregut, në gjysmën e parë të vitit 2019. Vetëm brenda gjashtë javëve, çmimet e naftës kanë humbur rreth ¼ e vlerës, për shkak të rritjes së prodhimit dhe ngadalësimit të ekonomisë.
Çmimet po gjenden nën presion edhe për shkak të të dhënave të publikuara në SHBA. Sipas Institutit Amerikan të Naftës rezervat u rritën me 8.8 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 9 nëntor, në totalin e 440.7 milionë fuçive, kundrejt parashikimeve për një rritje me 3.2 milionë fuçi.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.