Nafta vazhdon rënien – Çmimet bien me mbi 1% prej pritshmërive se oferta do të kalojë kërkesën
Nafta ka rënë për të tretën ditë radhazi në sesionin e së Mërkurës, prej pritshmërive se rritja e ofertës do të tejaklojë rritjen e kërkesës në vitin e ardhshëm, pavarësisht se varianti Omicron nuk shihet se do të frenojë lëvizjen në të njejtin nivel si variantet e mëparshme. Nafta bruto amerikane ra me 1.05 dollarë apo 1.5% në 69.68 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës humbi 1.2% në 72.79 dollarë për fuçi. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë theksoi se rritja e rasteve me Covid-19, me shfaqjen e Omicron, do të ndikojë tek kërkesa botërore, në të njejtën kohë kur oferta pritet të rritet, veçanërisht në SHBA.
Në Kontrast, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, rriti projeksionet për kërkesën për tremujorin e parë 2022. Analistët thonë se divergjenca e projeksioneve tregon se luhatjet do jenë të mëdha. Një tjetër faktor që ndikoi tek tregu ishte fuqizimi i dollarit amerikan, që i bën lëndët e para më të shtrenjta për blerësit me valutë të huaj. Tregjet presin dhe rezultatin e takimit të Rezervës Federale më vonë gjatë Javës, për udhëzime se kur banka do të rrisë interesat. Një tjetër faktor negativ ishte publikimi i inventarëve të naftës bruto në SHBA, që nuk paatën rënie aq të madhe sa pritej. Instituti Amerikan i Naftës tregoi se inventarët e naftës bruto ranë me 815,000 fuçi në javën që përfundoi më 10 Dhjetor, krahasuar me 2.1 milionë fuçi që prisnin analistët.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.