Nafta vijon qëndrueshmërinë. Investitorët, të shqetësuar për ngadalësimin e kërkesës
Nafta po tregtohet e qëndrueshme edhe në sesionin e sotëm, pasi investitorët po presin të dhënat zyrtare mbi rezervat e naftës në SHBA. Gjithashtu, investitorët vijojnë të jenë të shqetësuar për ngadalësimin e kërkesës për naftë si pasojë e rritjes së infektimeve me koronavirus dhe rikthimit të kufizimeve, sidomos në Europë. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 47.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 50.7 dollarë për fuçi. Sipas të dhënave të Institutit Amerikan të naftës rezervat e naftës Bruto u rritën me 2 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 11 dhjetor, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 1.9 milionë fuçi.
Megjithatë, investitorët po presin të dhënat zyrtare që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme nga Administrata për Informimin mbi Energjinë. Ndërkohë, fillimi i vaksinimit në disa vende të botës, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, nuk do të rimëkëmbë shpejt kërkesën për energji. Gjatë kësaj jave edhe vaksina e Modernas pritet të marrë autorizimin për përdorim emergjent në SHBA. Qeveria amerikane zgjeroi shpërndarjen e vaksinës së zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech në qindra pika, për të arritur një imunizim masiv të punonjësve të shëndetësisë, ndërsa pritet të arrijë te publiku i gjerë në muajt në vijim.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.