Nafta vijon rritjen – Bien rezervat e naftës në SHBA
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, për shkak të të dhënave jo-zyrtare në SHBA, që treguan një rënie të rezervave. Gjithashtu, çmimet po mbështeten nga mungesa e prodhimit në Kanada, që ka shkaktuar një rënie të furnizimit në Shtetet e Bashkuara.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 74.6 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 77.8 dollarëve për fuçi. Gjithsesi, volumi i tregtisë është u ulët gjatë ditës së sotme, për shkak se tregu në SHBA është pushim, me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Referuar të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës, rezervat ranë me 4.5 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 29 qershor, në totalin e 416.9 milionë fuçive.
Tregtarët shprehen se, rënia e rezervave është ndikuar kryesisht nga mungesa e furnizimit në fushën naftëmbajtëse Syncrude në Kanada, që prodhon rreth 360,000 fuçi në ditë.
Gjithashtu, investitorët janë të fokusuar edhe te sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit.
Qeveria amerikane planifikon të ndalojë të gjitha eksportet e Iranit, duke filluar nga muaji nëntor, dhe po i kërkon të gjitha qeverive të mos blejnë naftën e iraniane.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.