Nafta zgjeron fitimet – Ulja e tensionit tregtar SHBA-Kinë mbështet çmimet
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje të konsiderueshme në sesionin e sotëm, për shkak të shenjave se, vendimi i OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë, do të stabilizojë tregun e naftës. Gjithashtu, çmimet janë mbështetur nga shpresat se lufta tregtare SHBA-Kinë do të shmanget.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 60.9 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 52.2 dollarë për fuçi. Në një intervistë për Reuters, presidenti amerikan, Donald Trump tha se bisedimet mbi tregtinë me Kinën po vazhdojnë, ndërsa shprehu besimin se lufta tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë do të shmanget. Megjithatë, disa analistë kanë paralajmëruar se marrëveshja për uljen e prodhimit me 1.2 milionë fuçi në ditë, nuk do të japë efekt.
Një arsye tjetër që mund të ushtrojë presion mbi çmimet është rritja e prodhimit në SHBA, që aktualisht gjendet në një nivel rekord prej 11.7 milionë fuçi në ditë. Pritet që SHBA ta mbyllë vitin 2018, si prodhuesi më i madh në botë i naftës, duke tejkaluar Rusinë dhe Arabinë Saudite.
Rritja e prodhimit në Shtetet e Bashkuara parashikohet të arrijë një mesatare prej 1.53 milionë fuçi në ditë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.