Nafta zgjeron humbjet – Ndikon forcimi i dollarit dhe rritja e prodhimit në SHBA
Çmimet e naftës po qendrojnë në rënie për të dytën ditë me radhë, për shkak se forcimi i dollarit amerikan ka dëmtuar asetet e cilësuara me risk, si aksionet dhe lëndët e para. Gjithashtu, edhe rritja e prodhimit në naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë që nafta Brent të bjerë drejt nivelit të 69 dollarëve për fuçi.
Kështu, nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 69.3 dollarë për fuçi, ndërsa gjatë sesionit aziatik ra deri në 68.75 dollarë. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 65 dollarë për fuçi. Edhe tregjet europiane të aksioneve po qendrojnë në territor negativ, ndërkohë që forcimi i dollarit dhe rënia e aksioneve të Apple, bëri që Wall Street të publikojë humbjet më të mëdha ditore në 5 muajt e fundit, gjatë sesionit të kaluar. Me korrelacionin negativ të naftës me dollarit, që preku nivelin më të lartë në 1 muaj, kërkesa e fortë për naftë nuk ishte e mjaftueshme për të rritur çmimet.
Gjithashtu, edhe pritshmëritë për rritjen e rezervave të naftës në SHBA për herë të parë në 11 muajt e fundit, mund të ushtrojnë presion mbi çmimet. Prodhimi amerikan po barazohet me dy prodhuesit më të mëdhenj në botë, Arabinë Saudite dhe Rusinë. Që nga mesi i vitit 2016, prodhimi i naftës argjilore në SHBA është rritur me 17% dhe pritet që shumë shpejt të tejkalojë nivelin e 10 milionë fuçive.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.