Nafta zgjeron humbjet – Ndikon rritja e rezervave dhe prodhimit në SHBA
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, për shkak të rritjes së rezervave të naftës në SHBA. Gjithashtu, edhe dy prodhues të mëdhenj të naftës në Amerikë parashikojnë një rritje të prodhimit.
Këto zhvillime kanë eklipsuar marrëveshjen e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 65.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 56.1 dollarë për fuçi.
Chevron Corp dhe Exxon Mobil projektuan një rritje të prodhimit të naftës argjilore në SHBA. Gjithashtu, të dhënat e publikuara nga Instituti Amerikan i Naftës treguan një rritje më të madhe se parashikimet të rezervave gjatë javës së kaluar.
Sipas të dhënave, rezervat e naftës bruto u rritën me 7.3 milionë fuçi në ditë, gjatë javës që u mbyll më 1 mars, në totalin e 451.5 milionë fuçive. Analistët parashikonin një rritje me 1.2 milionë fuçi.
Megjithatë, investitorët po presin të dhënat zyrtare të Departamentit Amerikan të Energjisë, që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme. Analistët shprehen se, prodhimi i lartë në Amerikën e Veriut po dëmton përpjekjet e OPEC dhe Rusisë për të shkurtuar furnizimin e tregut.
Investitorët janë të fokusuar edhe te bisedimet për tregtinë SHBA-Kinë. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Presidenti Donald Trump do të refuzojë çdo marrëveshje që nuk është perfekte, por shtoi se Shtëpia e Bardhë po vijon punën për të arritur një marrëveshje.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.