Nafta zgjeron humbjet – Rritja e prodhimit në SHBA rrëzon çmimet
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie edhe në sesionin e sotëm, për shkak të rritjes së prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, humbjet po kufizohen nga rënia e rezervave të naftës në ekonominë më të madhe në botë.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 68.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në 63.6 dollarë për fuçi.
Tregtarët shprehen se, rënia e çmimeve është ndikuar nga rimëkëmbja e prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në anën tjetër edhe kërkesa ka regjistruar rënie, për shkak të të ftohtit që përfshiu SHBA, në fillim të këtij viti.
Prodhimi në ekonominë më të madhe në botë u rrit në 9.75 milionë fuçi në ditë, gjatë javës që u mbyll më 12 janar, deklaroi Administrata për Informimin mbi Energjinë.
Ndërkohë, gjatë javës së parë të janarit, prodhimi ra në 9.49 milionë fuçi, për shkak se i ftohti dëmtoi prodhimin. Shumica e analistëve parashikojnë se, prodhimi amerikan shumë shpejt do të rritet mbi 10 milionë fuçi në ditë.
Megjithatë, kushtet e tregut vijojnë të jenë mjaft të mira dhe shumica e tregtarëve nuk presin rënie drastike të çmimeve, edhe për shkak të marrëveshjes së OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezervat e naftës bruto ranë me 6.9 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 12 janar, në totalin e 412.65 milionë fuçive.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.