Nafta zgjeron humbjet – Rritja e rezervave në SHBA vendos nën presion çmimet
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie edhe në sesionin e sotëm, për shkak të rritjes së rezervave të produkteve të rafinuara të naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 62.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane tregtohet në rreth 57.15 dollarë për fuçi.
Me tregjet e aksioneve nën presion, për shkak të rënies së sektorit teknologjik dhe bonove amerikane, investitorët po tregohen të kujdesshëm përsa i përket parashikimeve për rritjen ekonomike dhe lëndëve të para industriale, siç është nafta dhe bakri.
Megjithatë, ulja e prodhimit nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, Rusia dhe vendet e tjera ka rritur naftën Brent me rreth 40%, që nga qershori i këtij viti.
Rënia në sesionin e sotëm u ndikua nga raporti i Institutit Amerikan të Naftës, që tregoi se, rezervat e benzinës u rritën me 9.2 milionë fuçi, gjatë javës së u mbyll më 1 dhjetor, ndërsa produktet e distiluara, që përfshijnë naftën dhe vajin për ngrohje, u rritën me 4.3 milionë fuçi.
Një faktor kyç që mund të dëmtojë përpjekjet e OPEC për të balancuar tregun dhe rritur çmimet, është pikërisht prodhimi në SHBA, që është rritur me rreth 15% që nga mesi i vitit 2016, në rreth 9.68 milionë fuçi në ditë, një niveli i përafërt me Rusinë dhe Arabinë Saudite.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.