Nafta zgjeron humbjet – SHBA, rezervat rriten me 2.8 mln fuçi
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të konsiderueshme në sesionin e sotëm, duke zgjeruar humbjet e sesionit të kaluar, për shkak të një rritje surprizë të rezervave në SHBA.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 67.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 58.6 dollarë për fuçi. Referuar të dhënave të publikuara në SHBA, rezervat e naftës u rritën me 2.8 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 1.2 milionë fuçi. Gjithashtu, edhe shqetësimet që kanë të bëjnë me një ngadalësim të kërkesës, si pasojë e luftës tregtare SHBA-Kinë, kanë ushtruar presion mbi çmimet. Ndër zhvillimet e fundit, Kina ka bërë disa propozime të paprecedentë për disa çështje, duke përfshirë transferimin e detyruar të teknologjisë.
Megjithatë, analistët mendojnë se në terma afatgjatë tendenca e çmimeve do të jetë në rritje, ndërsa gjatë këtij viti nafta Brent është rritur me rreth 30%. Kryesisht, çmimet janë mbështetur nga marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë dhe nga sanksionet e SHBA ndaj Iranit dhe Venezuelës. Analistët mendojnë se, në fillim të majit Shtetet e Bashkuara do të zgjerojnë sanksionet ndaj eksporteve të naftës iraniane.
Përjashtimi 180-ditor skadon për 8 vende; Kinën, Indinë, Greqinë, Italinë, Japoninë, Turqinë dhe Korenë e Jugut. Uashingtoni synon ti ulë në zero eksportet e naftës nga Irani.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.