Ndahet OSHEE – Zyrtarizohet krijimi i 3 kompanive, synohet rritja e cilësisë së shërbimit
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka zyrtarizuar ndarjen, duke regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit 3 kompanitë e reja.
Kompania e parë e krijuar nga ky proces është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, që do të ketë objekt të punës shpërndarjen e energjisë,, duke përfshirë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit. Kompania e dytë është Furnizuesi i Tregut të Lirë dhe do të merret me blerjen dhe menaxhimin e energjisë në tregun e lirë. Ndërkohë që, kompania e tretë është Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe do të ketë në fokus furnizimin me energjisë së klientëve fundorë që veprojnë në tregun e rregulluar.
Ndërkaq, vetë OSHEE do të jetë një shoqëri aksionere më vete, në krye të së cilës do të vijojë të qëndrojë Adrian Çela e që do të koordinojë 3 kompanitë e krijuara.
Ndarja e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ishte një detyrim i përcaktuar në ligjin që rregullon sektorin e energjisë e që ka për qëllim menaxhimin më efiçent dhe shërbimin më cilësor ndaj klientëve.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.