Ndalohen 4 ish zyrtarë në Tepelenë- Realizuan tender fiktiv në 2017
Policia e Shtetit ka ndaluar ish-shefin e financës, specialistin e statistikës, ish-juristen dhe ish-specialisten e burimeve njerëzore në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë, për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” në bashkëpunim, “Vjedhja në bashkëpunim” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
“Pas një pune të pandërprerë disamujore dhe veprimeve procedurale të ndjekura, në bashkëpunim me Prokurorinë u finalizua me sukses operacioni i koduar “Tenderi”, si rezultat i të cilit u dokumentua veprimtaria e kundërligjshme e shtetasve të mëposhtëm, të cilët u ndaluan gjatë operacionit për ekzekutimin e masave të sigurisë të lëshuara nga gjykata dhe konkretisht:
-A., 35 vjeç, banues në Memaliaj (ish-shef finance në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë);
-M., 31 vjeç, banues në Memaliaj (specialist statistike në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë);
-K., 31 vjeçe, banuese në Tepelenë (ish-juriste në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë);
-S., 30 vjeçe, banuese në Tepelenë (ish-specialiste e burimeve njerëzore në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë). Si dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për shtetasen F. L., banuese në Selitë, subjekt privat në fushën e “Shërbimeve të konsulencave për ndikimin në mjedis”” njofton Policia.
Referuar njoftimit zyrtar, ndalimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi në vitin 2017 kanë zhvilluar tender fiktiv për pajisjen e spitalit në Tepelenë dhe Memaliaj me leje mjedisore duke përvetësuar një shumë të konsiderueshme lekësh.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.