Ndalon rënia e industrisë – Treguesi për Majin, pozitiv. Perspektiva e Eurozonës mbetet e dobët
Prodhimi industrial në Eurozonë u rrit sipër pritshmërive në muajin Maj, duke kompensuar rëniet e dy muajve të fundit dhe përmirësuar perspektivën e cenuar nga tensionet tregtare. Treguesi pozitiv mund të vështirësojë punën e Bankës Qendrore Europiane, që po favorizon prezantimin e më shumë stimujve monetarë për të mbështetur ekonominë dhe nxitur inflacionin e ulët. Agjencia e Statistikave e Bashkimit Europian, bëri të ditur se prodhimi i fabrikave në Eurozonë u rrit me 0.9% në Maj nga muaji i kaluar. Në muajin Prill, prodhimi industrial ra me 0.4%, në Mars me 0.3% dhe në Shkurt mbeti i pandryshuar.
Rimëkëmbja në muaji Maj erdhi prej rritjes së prodhimit të mallrave jo të qëndrueshëm të konsumit, si veshjet dhe ushqimi i paketuar. Prodhimi i mallrave të qëndrueshëm të konsumit si frigoriferët dhe makinat, u rrit me 2.3%, duke treguar se menaxherët e industrisë janë optimist mbi planet afat-gjata të konsumatorëve. Prodhimi i mallrave kapitale, si makineritë, u rrit me 1.3%. Megjithatë, analistët paralajmëruan se pa patur një përmirësim të perspektivës tregtare, manifaktura do të vazhdojë e dobët për pjesën e mbetur të vitit.
Rreziqet e mëdha nga lufta tregtare bënë që Komisioni Europian të ulë projeksionet për ekonominë e Eurozonës në vitin e ardhshëm. Me bazë vjetore, prodhimi industrial ra me 0.5%, duke treguar rënien e tretë radhazi. Politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane ranë dakord muajin e kaluar për gatishmërinë në ofrimin e më shumë stimujve në ekonomi, për shkak të pasigurive të mëdha.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.