Ndërhyhet në rrugët e veriut – Investimi 14.5 mln euro, Gjiknuri: Të zhbllokohet bypass-i i Shkodrës
14.5 milion euro është vlera e investimit për disa akse rrugore në zonat veriore të vendit. Aktualisht kanë nisur punimet në akset Shkodër-Murriqan, Melgushë-Mjedë, Ura e Kirit-Mjedë dhe Lezhë-Shëngjin, ku vlera e investimit shkon në rreth 5.5 milion euro, ndërsa shumë shpejt pritet të fillojë rehabilitimi edhe në aksin Qafë Çelë-Fushë Arrëz me një investim prej 9 milion euro.
Ndërkaq, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dhe kreu i Autoritetit Rrugor, Afrim Qendro inspektuan kantierin e hapur në aksin rrugor Shkodër-Murriqan.
“Ndërhyrja parashikon prishjen e shtresave ekzistuese asfaltike, zëvendësimin e nënshtresave në çakëll dhe stabilizant, realizimin e të gjitha shtresave të reja asfaltike në të gjithë gjatësinë e rrugës dhe vendosjen e sinjalistikës rrugore e masave të sigurisë si guardrails, vizim termoplastik, sinjalistikë vertikale/horizontale dhe ndërtim të sistemit të drenazhit”.
Gjiknuri tha se fokusi i përmirësimit të infrastrukturës është në dy fronte, së pari tek ndërtimi i rrugëve të reja dhe përfundimi i atyre të zvarritura prej vitesh dhe së dyti tek mirëmbajtja. Më tej, ai kërkoi nga Bashkia e Shkodrës që të bashkëpunojë dhe zhbllokojë investimin e qeverisë për bypass-in e qytetit.
“Ne në Shkodër kemi investime tjera të rëndësishme siç është përfundimi i unazës së Shkodrës. Unë i bëj thirrje Bashkisë së Shkodrës që t’i japë përfundimisht dritën jeshile të zgjidhjes dhe vazhdimit të atij projekti, në bazë të projektit të rishikuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Gjetëm dakordësinë dhe tanimë shpresojmë në dhënien e dritës jeshile nga bashkia për të vazhduar me punimet për bypass-in duke eliminuar futjen e kamionëve dhe rëndesën e trafikut brenda qytetit.
Punimet në aksin Shkodër-Murriqan parashikojnë rehabilitimin e plotë të 12 kilometrave në kuadër të programit të përbashkët me Bankën Botërore për mirëmbajtjen me performancë të rrugëve.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.