Ndërtime pa leje – Policia e Shtetit arreston në flagrancë 3 shtetas dhe shpall në kërkim pronarin e objektit
Policia e Shtetit njofton se në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, gjatë kontrollit të territorit të ushtruar në fshatin Voskopojë, Korçë, kanë konstatuar ndërtimin e një objekti pa leje.
Sipas njoftimit në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, i shtetasve I. K., 45 vjeç, banues në Yzberisht, Tiranë, F. K., 44 vjeç, banues në fshatin Lavdar, Korçë dhe E. K., 34 vjeç, banues në fshatin Turan, Korçë, të cilët u kapën duke kryer punime në këtë objekt.
Policia bën me dije se gjithashtu u shpall në kërkim pronari i ndërtesës, shtetasi A. Sh., banues në Tiranë, i cili nga verifikimet e kryera rezultoi se nuk dispononte leje ndërtimi nga autoritetet kompetente ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.