Ndërtimet pa leje – U rritën me 73% para zgjedhjeve
Ndërtimet pa leje mbeten një nga sfidat kryesore për rendin ligjor dhe autoritetin e shtetit. Sipas Institutit të Statistikave, ndërtimi i paligjshëm është ndër veprat penale më të shpeshta, madje në rritje.
Në tremujorin e dytë të vitit, u regjistruan afro 700 çështje penale për ndërtime pa leje, 73% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Me gjithë paralajmërimet e shumta dhe pretendimet për vendosje të ligjshmërisë, ndërtimet pa leje nuk po frenohen. Në tremujorin e dytë të këtij viti, një faktor me ndikim kanë qenë zgjedhjet, që, në perceptimin e shoqërisë shqiptare, shoqërohen me ulje të kontrollit dhe trysnisë së autoriteteve për zbatimin e ligjit.
Me sa duket, kjo ka shtyrë një numër në rritje të individëve të ndërtojnë në shkelje të ligjeve.
Situata problematike është pranuar edhe nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, që vetëm pak ditë më parë shkarkoi të gjithë inspektorët në qarqet e Lezhës dhe të Shkodrës.
Ligjërisht, ndërtimet pa leje nuk mund të përfshihen më në skemën e legalizimeve, megjithatë, mentaliteti i fituar nga mbi 25 vjet të mungesës së autoritetit ligjor në kontrollin e territorit po rezulton i vështirë për t’u ndryshuar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.