Ndërtimi i Milot-Balldren zgjat 4.5 vjet-Kontrata e PPP, 213 mln euro! 8 vite mirëmbajtje, do ndërtohen 2 ura e 1 tunel
Punimet për ndërtimin e aksit Milot-Balldren, do të zgjatin 4.5 vite. Gjithçka përcaktohet në kontratën e partneritetit publik-privat për këtë segment, që tashmë është miratuar në qeveri dhe pret ndezjen e dritës jeshile nga parlamenti.
TV SCAN zbardh detajet e kontratës me vlerë 213 milion euro, që ka një kohëzgjatje 13-vjeçare, ku përveç 4.5 vjet ndërtim, përfshihen edhe 8 vjet mirëmbajtje.
Në kontratën e propozuar nga qeveria për miratim, përshkruhet ndërtimi i një rruge prej 17.263 km, e cila shtrihet përgjatë aksit të rrugës ekzistuese që lidh Milotin me qytetin e Lezhës dhe devijohet si rrugë plotësisht e re, nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldren, ku më pas lidhet me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës. Projekti përfshin edhe ndërtimin e një tuneli me dy tuba në malin e Rencit.
Gjithashtu, pjesë e veprës janë edhe 2 ura: ajo e Matit dhe e Drinit me gjatësi 620 dhe 223 metra secila. Gjithashtu, në kontratë propozohet ndërtimi në total i 9,500 m rrugë dytësore dhe rrugë lidhëse të nyjeve për të mundësuar dhe lehtësuar qarkullimin e banorëve të kësaj zone. Ndërtimi i këtij aksi të ri rrugor, nga nyja e rrethrrotullimit të Lezhës deri në hyrjen e tunelit në Balldren, kalon përmes kënetës së Kune-Vainit, ndërkohë që ajo klasifikohet e kategorisë autostradë A, me 2 korsi kalimi dhe 1 korsi emergjence.
Në relacionin që shoqëron kontratën e propzuar në Kuvend ndërtimi i këtij aksi konsiderohet i një rëndësie të veçantë, duke qenë se zona ka potencial të lartë turistik. Megjithatë, ajo që vlen të theksohet se kompania koncesionare “ANK shpk” dhe shoqëria koncesionare e krijuar “Bardh Konstruksion” nuk disponojnë të gjithë kapitalin e nevojshëm për të realizuar investimin.
Për këtë arsye, struktura e financimit për këtë vepër parashikon marrjen e një huaje bankare prej 70 milion euro, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare dhe do të përdoret tërësisht për të shlyer detyrimet që lidhen me ndërtimin e këtij aksi rrugor.
Financimi nga furnitorët do të jetë në vlerën 19,500,000 euro, ndërkohë shoqëria do të investojë nga kapitali i saj shumën prej 52,000,000 euro. Sipas propozimit të rishikuar financiar, norma e interesit e llogaritur për gjitha burimet e financimit të përcaktuara më sipër është 5%.
Rrugët dytësore dhe lidhëse ku do ndërhyhet
Zgjerim i segmentit Nyja Fushë Milot-Ura e Matit (L = 1375 m)
Zgjerim i segmentit Ura e Matit-Nyja Shën Kollë – Zejmen (L = 1250 m)
Zgjerim i segmentit Nyja Shën Kollë-Nyja Ishull Lezhë-Rrile (L = 6250 m) Zgjerim i segmentit Nyja Ishull Lezhë_Rrile-Ura Lumi Drin (L = 2025 m)
Zgjerim i segmentit Ura Lumi Drin-Nyja e Lezhës e rrugë sekondare (L = 1300 m)
Ndërtimi i segmentit -Nyja e Lezhës – Hyrja e Tunelit (L = 2325 m)
Ndërtimi i segmentit – Ndërtimi i tunelit (L = 1025 m)
Ndërtimi i segmentit -Dalja e tunelit-Lidhja me rrugën ekzistuese Balldren (L = 788.75 m)
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.