Ndërtimi i rrugës “Faik Konica”, Veliaj: Investimet rrisin vlerën e pronës së banorëve
Zona pranë Qytetit Studenti do të jetë një nga poliqendrat e kryeqytetit, siç është Kinostudio, Lapraka e Kombinati. Këtë deklaroi kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë inspektimit të rrugës “Faik Konica”, e cila do të shtrohet e gjitha me kalldrëm, për t’i dhënë zonës një model të ri estetik. Po realizohet gjithashtu edhe shtrimi i rrjetit nëntokësor me kanalizime dhe rrjet elektrik.
“Në rrugën ‘Faik Konica’ kemi ndoshta një nga projektet më të komplikuara të bashkisë sepse ndër vite nuk janë respektuar distancat, nuk është përditësuar rrjeti nëntokësor. Pasi zbuluam që kishim një rrjet totalisht të amortizuar uji, që të parandalojmë në të ardhmen situata si ato që kemi te Astiri, ku ndërtimet janë bërë pa shtuar kapacitetin e rrjetit”, tha Veliaj.
Veliaj deklaroi se investimet e realizuara nga Bashkia e Tiranës do të rrisin vlerën e pronës së qytetarëve.
“Kjo është një zonë e cila ka një bum të jashtëzakonshëm. Të shikojmë se si do t’i rritet vlera kësaj prone falë këtij investimi, por edhe faktit që stadiumi “Qemal Stafa” është konceptuar si një qendër tregtare, si një hapësirë për aktivitete të ndryshme dhe ekskluzivisht pedonale”, tha kryebashkiaku.
Kreu i Bashkisë kërkoi bashkëpunimin e banorëve të zonës për të liruar hapësirat e zëna në mënyrë që puna të përfundojë në kohë rekord.
Ndërtimi i Rr. “Faik Konica” parashikon ndërhyrje në nënshtresat dhe shtresat sipërfaqësore, ndërtimin e kanaleve të ujërave të zeza, të ujërave të bardha, ndërtimin e linjave rezervë për fibrat optike, si dhe ndriçimin e rrugës. Projekti parashikon përdorimin e pllakave në formë kalldrëmi, ndërsa gjerësia e rrugës do të jetë 11.5 metër, ku një korsi do të shërbejë për qarkullimin e automjeteve dhe një për parkimin. Gjithashtu, do të ndërtohet edhe korsi e dedikuar për biçikletat.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.