Ndërtimi i shkollës “Kosova”, Veliaj: Do ndërtojmë edhe 16 shkolla të tjera, jo më mësim me dy turne
Shkolla “Kosova” po rindërtohet për t’u rikthyer në vatër dije për fëmijët. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për hapjen e themeleve të godinës, e cila do të jetë katër herë më e madhe se sa ish-ndërtesa e mëparshme .
Në nisjen e punimeve mori pjesë edhe kreu i bashkisë Erion Veliaj, i cili tha se shkolla do të jetë gati pas një viti duke u shprehur se vitin tjetër do ndërtohen edhe 16 shkolla të tjera.
“Mezi pres që t’u lëmë hapësirë ndërtuesve, që këtë vit të punojnë me ritme të shpejta e ta përfundojnë para afatit, që shtatori tjetër jo vetëm të akomodojë këtu nxënësit e shkollës “Kosova”, por automatikisht të lirojë të gjithë trysninë që ushtrohet tek Liceu Artistik apo shkolla “Osman Myderizi” e “Mihal Grameno”, me nxënësit e shkollës “Kosova”, që janë shpërndarë në të gjithë këto territore”, u shpreh kryebashkiaku.
Kryebashkiaku tha se hapja e dyerve të kësaj shkolle vitin e ardhshëm të lirojë të gjithë trysninë që ushtrohet tek Liceu Artistik apo shkolla “Osman Myderizi” e “Mihal Grameno” dhe ndërtimi i shkollave të reja do t’i japë fund mësimit me dy turne.
“Këto katër shkolla të reja, “Hoxha Tahsin”, “Betim Muço”, “Ardian Klosi” dhe shkolla ”Kosova” janë vetëm paketa e parë e shkollave që po ndërtojmë, për të vijuar me 16 shkolla vitin tjetër dhe për t’u siguruar që brenda këtij mandati, një tjetër legjendë shqiptare, ajo e shkollave me dy turne, të jetë një fjalë e huaj për fjalorin tonë dhe të flasim për gjëra të tjera më të mira”.
Krahas shkollave “Hoxha Tahsin”, “Betim Muço”, “Ardian Klosi”, me shkollën “Kosova” shkon në 4 numri i shkollave të reja që i shtohen Tiranës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.